Kryeministri i Kinës kërkon përpjekje të përbashkëta për të kërkuar hapësira të reja rritjeje
2024-06-26 14:30:18

 Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri kinez Li Qiang u bëri thirrje të martën vendeve të ndryshme të kenë një mendësi të hapur, të forcojnë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë ndërmjet tyre dhe të kërkojnë së bashku hapësira të reja të rritjes ekonomike.  

Në takimin me kryetarin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab në Dalian të provincës Liaoning të Kinës Verilindore, Li vuri në dukje gjithashtu që, në kushtet e rimëkëmbjes së dobët të ekonomisë botërore, është vendimtare të gjenden shtysa të reja të rritjes. Industria e së ardhmes do të jetë forca më aktive që nxit rritjen ekonomike globale, u shpreh ai. Zhvillimet teknologjike, të përfaqësuara ndërmjet të tjerave nga inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe energjia e gjelbër, do të nxisin rrugë e formate të reja biznesi me rritje të lartë, tha Li, duke shtuar se propozimi i Kinës për të kryer veprimin "inteligjencë artificiale+" ka si qëllim t'i japë nxitje më të fortë zhvillimit ekonomik nëpërmjet forcimit gjerësisht të inteligjencës artificiale.  

Li theksoi më tej se ngadalësimi i rritjes ekonomike botërore në vitet e fundit është i lidhur në një masë të madhe me format e ndryshme të "shkëputjes e thyerjes së zinxhirëve" dhe "ndërtimit të mureve dhe pengesave" nga disa vende. Ai shtoi se ndërlidhja e ekonomive të të gjitha vendeve mund të sjellë përparim të përbashkët, ndërsa mbyllja ndaj të tjerëve çon vetëm në prapavajtje.  

Nga ana e tij, Schwab theksoi se, në gjendjen e tanishme ndërkombëtare komplekse, është më e rëndësishme se kurrë të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar. Sipas tij, WEF-i është i angazhuar të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Kinën, për të punuar për zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të ekonomisë botërore dhe për të reaguar së bashku ndaj sfidave globale.